Etiketa
Ballsh, dashuri, Fier, fugonat, Gjirokastra, Memaliaj, nostalgji, rrëfime në shi, Rrogozhinë, Tepelenë, Tirana, udhëtimi në tiranë, Zana
(Cikli i Zanës)
Gjirokastër 22 nëntor. Të jesh në mëngjes në Gjirokastër, në fund të nëntorit, nuk është dhe nga opsionet më të mira që mund të kesh për të filluar ditën. Sidomos kur mëngjesi shoqërohet me një të ftohtë që të depërton dhe një shi i cili edhe pse i hollë të ngrinte nervat. Shto këtu edhe rrugët e prishura, pellgjet me ujë, makinat që kalonin me shpejtësi dhe spërkatnin (kryesisht mbi njerëzit) ujin dhe për finale… autobuzi…
Ishte pikërisht autobuzi i Tiranës ai që kaloi para sysh, i fishkëlleva, bëra sikur vrapova, tunda dorën, i bërtita me fuqi por efekti Doppler bëri punën e vet. Shumë bukur, e humba autobuzin, nuk ngelet veçse të kap tjetrin. Më pëlqen kur gjej optimizëm tek vetja, sidomos kur nuk ka arsye për diçka të tillë. Dhe sidomos kur autobuzi tjetër për Tiranë nisej pas dy orësh.