Etiketa
Agimi i Artë, Hellenic Quest, interneti, Kissinger, LAOS, legjenda urbane, mite nacionaliste, mitet moderne greke, populizëm
Jo, tema nuk ka të bëjë me mitologjinë e lashtë greke, as me veprën e mirënjohur nga Robert Graves, por me fenomenin e legjendave apo miteve urbane të përhapura në Greqi, kryesisht nëpërmjet internetit, forca depëtuese e të cilëve ka arritur shpesh gjer në gojën e politikanëve e qeveritarëve. Popullariteti i disa prej këtyre miteve ka qenë i tillë saqë mund të thuhet se janë shndërruar në mite të kombëtarizmit grek.
Mitet moderne në Greqi do i ndaja në dy kategori kryesore. E para përbëhet nga mitet e importuara nga jashtë dhe e dyta në mitet e zhvilluara në Greqi si pasojë e rrethanave sociale, ekonomike apo kulturore në vend. Natyrisht, të gjithë mitet e importuara janë përshatur në ambientin grek. Në kategorinë e parë, që nuk do ndalemi, hyjnë antisemitizmi dhe historitë që e shoqërojnë (për dominim të botës nga Zionizmi, Protokollët e të Urtëve të Zionit), masoneria, pseudoshkenca, jashtëtokësorët etj.